
5 mënyra për të transformuar menaxhimin e restorantit tënd
Menaxhimi i një restoranti nuk ka qenë kurrë më i ndërlikuar. Mes çështjeve të stafit, rritjes së kostove të ushqimeve, qirave të kripura, pritshmërive të klientëve dhe marketingut, shumë pronarë ndihen sikur merren pa pushim me probleme urgjente. Lajmi i mirë është se disa ndryshime të menduara mirë mund të sjellin përmirësime të ndjeshme në efikasitet, kënaqësinë e klientëve dhe rritjen e biznesit. Më poshtë ke pesë mënyra për të transformuar menaxhimin e restorantit tënd dhe për të hedhur themelet e suksesit afatgjatë.
1. Lehtëso punën me procedura të qarta standarde (SOP)
Kaosi është një nga kërcënimet më të mëdha për suksesin e një restoranti. Nëse ekipi yt duhet ta gjejë vazhdimisht me hamendje si duhet bërë puna, gabimet do të ndodhin dhe cilësia e shërbimit do të bjerë. Restorantet më të mira ku kam punuar, ato ku e kam shijuar më shumë punën, ishin restorantet që kishin procedura standarde pune që mund t'i ndiqja. Kjo më lejonte të përqendrohesha te detyra që kisha në dorë, në vend që të vrisja mendjen çfarë duhej të bëja më pas dhe si ta bëja.
Hapa praktikë:
- Përcakto procedura standarde pune (SOP) për gjithçka, nga detyrat e hapjes dhe mbylljes deri te trajtimi i ankesave. Jepi çdo punonjësi një udhëzues që shpjegon si duhet të veprojë për çdo problem që mund të lindë.
- Hidhi këto procedura në një manual të thjeshtë dhe shqyrtoji gjatë trajnimit të stafit. Mbaje manualin në një vend lehtësisht të arritshëm, që stafi të gjejë përgjigje për pyetjet e veta kur ti nuk je në dispozicion.
- Përdor lista kontrolli që të mos harrohet asgjë gjatë turneve të ngarkuara. Edhe një fletë e thjeshtë A4 me të gjitha detyrat e stafit mund t’i ndihmojë punonjësit të kujtojnë gjërat që u kanë dalë vërtet nga mendja.
Kur procedurat janë të qarta, stafi mund të përqendrohet te shërbimi i shkëlqyer, në vend që të humbasë kohë duke u përpjekur të kuptojë çfarë duhet të bëjë.
2. Përmirëso komunikimin me stafin
Shumë probleme në restorant — vonesa, gabime, shërbim i dobët — vijnë nga komunikimi i paqartë. Lehtësoja punën stafit duke ia shpjeguar qartë secilit përgjegjësitë e veta dhe sigurohu që të gjithë të kenë të njëjtin kuptim të asaj që pritet prej tyre.
Hapa praktikë:
- Organizo takime të shkurtra para çdo turni për ta njohur stafin me specialitetet e ditës, rezervimet VIP ose oraret kur pritet më shumë fluks. Kjo i ndihmon punonjësit të ndihen pjesë e një ekipi. Nga përvoja ime, në çdo restorant ku kam punuar dhe ku nuk bëheshin takime para turnit, turnet ishin gjithmonë kaotikë.
- Përcakto qartë kujt duhet t'i drejtohet secili punonjës për ndihmë. Mos e merr si të mirëqenë që stafi e di kujt t'i drejtohet kur diçka nuk shkon siç duhet.
- Nxite stafin të shprehë hapur mendimet dhe shqetësimet, që problemet të dallohen përpara se të përkeqësohen. Bisedo rregullisht me punonjësit për të kuptuar si po u shkon puna.
Sa më mirë të funksionojë komunikimi, aq më mirë do të ecë shërbimi. Dhe sa më mirë të ecë shërbimi, aq më shumë gjasa ka që klientët të kthehen sërish te ti.
3. Mbështeti vendimet te të dhënat
Është e rrezikshme ta drejtosh biznesin vetëm me intuitë. Të dhënat të japin një pamje të qartë. A e di cilat pjata jo vetëm shiten më shumë, por sjellin edhe fitimin më të madh? A e di cilët përbërës hedh më shpesh? A e di cili nga kamerierët e tu realizon më shumë shitje dhe porositë me vlerën më të lartë?
Hapa praktikë:
- Ndiqi shitjet çdo ditë për të dalluar prirjet. Cilat pjata shiten më shumë? Cilat ditë kanë më shumë fluks?
- Shqyrto çdo javë kostot e ushqimeve për të dalluar shpërdorimet ose furnitorët me çmime tepër të larta.
- Ndiq treguesit e performancës së stafit, si vlera mesatare e faturës ose shpeshtësia me të cilën tavolinat lirohen dhe zihen nga klientë të tjerë.
Vendimet e bazuara në shifra reale, jo në hamendësime, të sigurojnë se po ecën në drejtimin e duhur.
4. Përmirëso përvojën e klientit edhe përtej tavolinës
Klienti nis të krijojë përshtypjen për restorantin tënd ende pa u ulur në tavolinë. A është faqja jote e internetit e lehtë për t'u përdorur dhe gjithmonë e përditësuar? A ua bën të lehtë përdoruesve të saj, që mund të bëhen edhe klientë, të porosisin në internet ose të rezervojnë një tavolinë me pak klikime? A ke një mënyrë për t'u dërguar klientëve një mesazh falënderimi pas porosisë ose rezervimit?
Hapa praktikë:
- Sigurohu që procesi i rezervimit të jetë i thjeshtë dhe profesional.
- Sigurohu që menutë të jenë të qarta, të përditësuara dhe të lehta për t'u gjetur në internet.
- Kontaktoji klientët me email ose mesazh pas vizitës, për t'i nxitur të kthehen sërish.
Sa më e qëndrueshme në cilësi dhe e menduar me kujdes të jetë përvoja e klientëve në çdo hap, aq më shumë gjasa ka që ata të kthehen.
5. Bëj marketing rregullisht
Një nga gabimet më të mëdha që bëjnë pronarët e restoranteve është marketingu i çrregullt. E kam parë këtë problem herë pas here. Shpenzohen mijëra për ta bërë restorantin të bukur dhe për të blerë përbërësit më të mirë për gatimet, e megjithatë askush nuk e njeh restorantin tënd. Nuk ka kuptim të investosh mijëra në biznes dhe të mos kesh një plan marketingu që të garanton jo vetëm klientë ose porosi të reja çdo ditë, por edhe që këta klientë të kthehen vazhdimisht, herë pas here.
Hapa praktikë:
- Publiko në rrjetet sociale të paktën 2–3 herë në javë, me përmbajtje të larmishme: specialitetet e ditës, pamje nga prapaskenat e punës dhe histori klientësh.
- Krijo një listë adresash emaili dhe dërgo një buletin me oferta ose të reja një ose dy herë në muaj.
- Përfshihu në jetën e komunitetit dhe në aktivitetet lokale që restoranti yt të njihet më shumë.
- Kontakto klientët që të kanë vizituar më parë dhe kërkoju të lënë vlerësime, që restoranti yt të njihet më shumë në zonë.
Vazhdimësia krijon besim dhe bën që klientët ta kenë gjithnjë në mendje restorantin tënd.
Disa mendime përmbyllëse
Për ta ndryshuar mënyrën si e menaxhon restorantin, nuk ke pse të përmbysësh gjithçka brenda natës. Mjaftojnë hapa të vegjël e të qëndrueshëm, që me kalimin e kohës sjellin rezultate afatgjata. Fillo me një fushë — qoftë komunikimi, marketingu apo ndjekja e të dhënave — dhe vazhdo më tej.
Nëse kërkon një mjet që të ndihmon t’i zbatosh lehtësisht këto ndryshime — duke menaxhuar porositë, rezervimet, marketingun dhe marrëdhëniet me klientët në një vend të vetëm — Dinerly është krijuar pikërisht për këtë. Por, pavarësisht nëse e përdor Dinerly apo jo, rëndësi ka të nisësh t’i zbatosh këto strategji që sot.

Marina Prokoiosifi
Marina është themeluesja e Dinerly. Me vite përvojë të drejtpërdrejtë në hoteleri dhe restorante — nga shërbimi në sallë te menaxhimi — ajo i kupton sfidat e përditshme të pronarëve të restoranteve dhe punon me pasion për të krijuar mjete që e bëjnë drejtimin e një restoranti më të thjeshtë e më fitimprurës.