
Kostoja e fshehur e ndërrimit të stafit (dhe si t’i mbash punonjësit më të mirë)
Kur drejtoja restorante, asgjë nuk më rëndonte më shumë sesa dorëheqja e një punonjësi të shkëlqyer. E ndien dy herë: një herë në shpirt dhe pastaj në xhep.
Në të vërtetë, ndërrimi i stafit në hoteleri dhe restorante nuk është thjesht një bezdi. Është një nga faktorët që e gërryejnë më shumë fitimin pa u vënë re. Megjithatë, shumë drejtues e shohin si diçka që "e ka puna".
Por më beso — nuk ka pse të jetë kështu.
Sa të kushton vërtet ndërrimi i stafit
Sipas studimeve të sektorit, zëvendësimi i një punonjësi të vetëm në hoteleri dhe restorante kushton £1,500–£3,000. Madje, kjo shifër mund të jetë e ulët kur i mbledh të gjitha shpenzimet. Ja çfarë përfshin:
- Kostot e rekrutimit: Njoftimet e punës, tarifat e agjencive, koha e shpenzuar për intervista.
- Kostot e trajnimit: Punonjësit me përvojë që shkëputen nga shërbimi për t’i mësuar punën dikujt të ri.
- Gabimet e fillimit: Porosi të gabuara, produkte të shpërdoruara ose vonesa në përgatitjen e porosive, derisa punonjësit e rinj të mësojnë punën.
- Humbja e klientëve të rregullt: Klientët e vënë re kur kamerieri i tyre i preferuar nuk punon më aty.
- Morali i ekipit: Kur largohet njëri, shpesh edhe të tjerët fillojnë të kërkojnë punë tjetër.
Tani, llogarite këtë kosto në bazë të ndërrimit vjetor të stafit tënd. Në Mbretërinë e Bashkuar, sektori i hotelerisë dhe restoranteve ka mesatarisht 30%+ ndërrim stafi në vit. Nëse ke 20 punonjës, mund të të largohen 6 ose më shumë çdo vit. Bëji llogaritë — janë £12,000–£18,000 të humbura, dhe kjo është vetëm kostoja e dukshme.
Pse largohen vërtet punonjësit
Është e lehtë t’ua vësh fajin pagave. Po, pagat në hoteleri dhe restorante lënë për të dëshiruar krahasuar me sektorë të tjerë, por e vërteta është se njerëzit nuk largohen gjithmonë vetëm për një paund më shumë në orë.
Nga vitet e mia në drejtimin e ekipeve të sallës dhe të kuzhinës, si edhe nga këshillimi që u ofroj sot restoranteve të pavarura, kam vënë re tri arsye kryesore pse largohen punonjësit:
- Mungesa e komunikimit — Punonjësve u vjen në majë të hundës nga ndryshimet e turneve në çastin e fundit, dorëzimi i mangët i punës nga një turn te tjetri ose mungesa e informacionit për vendimet e biznesit.
- Mungesa e vlerësimit — Sfiliten duke punuar një të shtunë në mbrëmje plot ngarkesë dhe askush nuk u thotë as faleminderit.
- Mungesa e mundësive për të ecur përpara — Njerëzit e talentuar duan të ecin përpara. Nëse zgjedhja e vetme është "rri në vend ose largohu", do të largohen.
Strategji që funksionojnë për të mbajtur stafin
Lajmi i mirë është se mbajtja e stafit nuk ka pse të jetë e ndërlikuar apo e kushtueshme. Duhet të vendosësh praktika pune që i tregojnë ekipit tënd se ka rëndësi për ty.
1. Krijo një program të strukturuar trajnimi
- Për çdo pozicion pune, krijo një listë me hapat e orientimit për 14 ditët e para. Përfshi detyra praktike, njohjen e menusë dhe standardet e shërbimit ndaj klientit.
- Cakto një koleg që të udhëheqë çdo punonjës të ri gjatë trajnimit — kështu ka dikë kujt t’i drejtohet dhe menaxherëve u lehtësohet ngarkesa.
- Njësoje procesin, që trajnimi të mos varet nga personi që është në turn.
Ndikimi: Punonjësit e rinj e mësojnë punën më shpejt, bëjnë më pak gabime dhe ndihen të mbështetur.
2. Vlerësoje punën e mirë — siç duhet
- Mbylle çdo turn me një bisedë të shkurtër për ecurinë e punës. Përmend 2–3 gjëra të mira që kanë bërë punonjës të veçantë.
- Krijo një tabelë mujore vlerësimi — veço punonjësit që klientët kanë lavdëruar në vlerësimet e tyre.
- Organizo gara të vogla: "Kush realizon më shumë shitje shtesë këtë javë, fiton një kupon me vlerë £20."
Ndikimi: Njerëzit qëndrojnë më gjatë kur e ndiejnë se puna e tyre vihet re. Vlerësimi nuk kushton asgjë, por besnikëria nuk ka çmim.
3. Trego mundësitë për të ecur përpara
- Përcakto shkallët e përparimit në punë. Për shembull: Kamerier → Kryekamerier → Përgjegjës turni → Ndihmësmenaxher.
- Ofro mundësi për trajnime të shkurtra (njohuri për verërat, ndihmën e parë apo aftësi për përgatitjen e kafesë).
- Pyete çdo punonjës drejtpërdrejt: "Ku dëshiron të jesh pas një viti?" Do të habitesh nga ambicia që do të nxitësh.
Ndikimi: Njerëzit kanë më pak gjasa të largohen nëse shohin mundësi për t’u zhvilluar duke punuar me ty.
4. Zgjidh problemin e turneve
- Bëje të ditur orarin e turneve të paktën dy javë përpara.
- Mbaje fjalën — nëse dikujt i është miratuar pushimi, mos e bëj të ndihet në faj që të vijë të mbulojë një turn.
- Përdor një program për planifikimin e turneve nëse ta lejon buxheti, por edhe një tabelë e qartë është më mirë se rrëmuja.
Ndikimi: Respektoje kohën e tyre dhe ata do ta respektojnë biznesin tënd.
5. Krijo një frymë pune ku njerëzit duan të jenë pjesë
- Ndaje me ekipin arsyen që qëndron pas restorantit tënd — pse e bën këtë punë dhe çfarë të dallon nga të tjerët.
- Investo në përfitime të vogla: vakte për stafin, pije joalkoolike falas gjatë turnit, dalje me ekipin çdo tremujor.
- Ji gjithnjë i hapur për të biseduar me stafin. Një bisedë 5-minutëshe mund t’i zgjidhë problemet përpara se të çojnë në dorëheqje.
Ndikimi: Kultura e punës i lidh njerëzit me ekipin. Ata qëndrojnë sepse ndihen pjesë e tij, edhe kur mund të fitonin më shumë diku tjetër.
Çfarë duhet të mbash parasysh
Largimi dhe zëvendësimi i stafit nuk është thjesht një shifër në tabelë. Ai rëndon buxhetin tënd të trajnimit, ndikon te përvoja e klientëve dhe të prish qetësinë si pronar.
Por nuk të duhen shuma të mëdha për ta zgjidhur. Të duhen organizim, vlerësim i stafit dhe një kulturë e mirë pune.
Çdo punonjës që arrin të mbash të kursen mijëra në bilancin përfundimtar — dhe, më e rëndësishmja, është i pazëvendësueshëm për t’u ofruar klientëve të njëjtën përvojë të mirë çdo herë.
Mos e prano largimin e stafit si një "kosto të pashmangshme të biznesit". Krijo një ekip që dëshiron të qëndrojë, të rritet dhe ta zhvillojë restorantin bashkë me ty.
Sepse në mikpritje, njerëzit e tu janë ajo që u ofron klientëve. Trajtoji mirë dhe ata do të tregojnë të njëjtin kujdes për klientët e tu.

Marina Prokoiosifi
Marina është themeluesja e Dinerly. Me vite përvojë të drejtpërdrejtë në hoteleri dhe restorante — nga shërbimi në sallë te menaxhimi — ajo i kupton sfidat e përditshme të pronarëve të restoranteve dhe punon me pasion për të krijuar mjete që e bëjnë drejtimin e një restoranti më të thjeshtë e më fitimprurës.